
M. C. Escher “Relativity”
Kur ende presim për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, këmbësoria e vetëvendosjes ka filluar betejën e saj të radhës lidhur me legjitimitetin e një qeverie pa vetëvendosjen. I gjithë narracioni që buron nga vetëvendosja mund të reduktohet në një premisë false. Ajo është që “vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet.” Për dikë mund të tingëllojë krejtësisht e arsyeshme e për dikë vetëm e dobishme për ta trasuar narracionin e vviktimës. Në pjesë të madhe, grupi i parë krijohet nga i dyti.
Nëse lexoni Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, fjalën “fitues” në kontekstin e partive politike nuk mund ta hasni askund. Kjo për arsyen se në Kosovë partitë nuk fitojnë zgjedhje, por fitojnë ulëse. Mekanizmi i “fitores” janë numrat në Kuvend, jo fakti që filan parti ka dalë e para në zgjedhje. Kuptohet që i pari ka disa avantazhe. Sipas vendimit KO 119/14 të Gjykatës Kushtetuese, partisë (ose koalicionit) që del e para në zgjedhje i takon kryeparlamentari. Gjithashtu, të parit i takon rradha e parë për ta formuar qeverinë. Këto avantazhe nuk vijnë nga personi X ose Y në televizionin Z ose W, por nga korniza ligjore e shtetit.
Nëse këto avantazhe nuk i mjaftojnë partisë që del e para në zgjedhje ta formojë qeverinë, atëherë rradha i kalon të tjerëve. Në fakt, një sistem ku partia e parë duhet të jetë në qeveri domosdoshmërisht do të shkonte kundër idesë së kompromisit. Kur dy palë negociojnë, ekziston rreziku që njëra të largohet nga tavolina e negociatave dhe tjetra të mbetet pa marrëveshje. Pra, kur çmimi i një malli është X e ti e kërkon për më pak se aq, rrezikon ta humbasësh mundësinë për ta blerë mallin me X nëse dikush tjetër është i gatshëm të paguajë atë shumë. Mbi këtë parim, tregjet e lira sjellin çmime të arsyeshme. Përkundër një grupi që thotë se negociatat nuk duhet të jenë “pazar”, fjala negociatë në praktikë është sinonim i pazarit, dhe ligjet e teorisë së lojërave zbatohen njësoj, pa konsideratë për semantikën e zgjedhur.
Nuk e di nëse rrjedh nga refuzimi që komunistët kanë ndaj tregjeve apo nga shija e primitivizmit që ka kjo fjalë, por tentimi për t’i shndërruar “pazarin” dhe “kompromisin” në fjalë të ndyta ka qenë i suksesshëm. Ngjashëm me dallimin zajednicë-asociacion, dallimi pazar-marrëveshje përcaktohet nga vetëvendosje varësisht prej rolit të tyre në kryerjen e zajednicës dhe pazarit, përkatësisht. Në fakt, pazari është mekanizmi që detyron qeverinë të ketë përkrahje të shumicës së përfaqësuesve të qytetarëve, ose ndryshe, përkrahje të përfaqësuesve të një shumice të qytetarëve (modulo pakicat). Kur grupet bëjnë pazar, ato e marrin barrën e përfaqësimit të elektoratit të tyre. Loja politike nuk mbaron me formimin e qeverisë dhe përvoja na tregon se zgjedhjet e reja vijnë shpejt. Kur nuk përfaqësohen interesat e elektoratit, ndëshkimi pason. Kur populli nuk ia jep shumicën askujt, vetëm pazari garanton përfaqësim të gjerë politik.
Fjala tjetër, përdorimi i së cilës është rritur këto ditë, është “legjitimitet”. Fjala legjitimitet në praktikë është ankimim për rregullat e lojës. Në zgjedhjet e 9 shkurtit garuan disa projekte politike. Prej tyre, katër e kaluan pragun e përfaqësimit në Kuvend, por asnjë projekt nuk mori përkrahje të shumicës. Rrjedhimisht, krijohet nevoja për bashkëpunim të përfaqësuesve të zgjedhur nga populli për të krijuar një projekt politik të shumicës. Edhe këtu, partia e parë e ka të drejtën ta provojë e para formimin e projektit të shumicës. Nëse legjitimiteti i një projekti politik rrjedh nga vota e qytetarëve, atëherë ai duhet të jetë proporcional me votat që ka marrë. Thënë ndryshe, legjitimitet ke aq sa ke deputetë.
Ndonëse argumenti im është i aplikueshëm në çdo situatë, për dallim nga argumenti i tjerrësve të vetëvendosjes, në rastin konkret ai është edhe më i fuqishëm. Në një fushatë ku vetëvendosje i thoshte vetes shqiptare kombëtare e partive të tjera serbe e zuzare, në nivel të narracionit ndarjen e ka bërë vetë vviktima. Në nivel empirik, të dhënat e exit-poll-it nga UBO tregojnë qartë se votuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë më të përafërt me njëri-tjetrin sesa secili prej tyre me votuesin e vetëvendosjes. Të pyetur për çështjet kryesore që ndikuan në votim, elektorati i ish-opozitës citoi ekonominë/punësimin si arsye primare dhe marrëdhëniet me SHBA dhe BE si arsye të dytë. Votuesi i vetëvendosjes kishte prioritete të tjera.
Credits: UBO Consulting & TV Dukagjini
Përtej specifikave të këtyre zgjedhjeve, argumenti im është gjeneral dhe agnostik ndaj rezultateve. Ky është dallimi esencial mes argumentit tim dhe atyre që po e përgatisin terrenin për vviktimizim.
Sipas logjikës se i pari duhet të jetë në qeveri, këtë të drejtë teorikisht mund ta fitosh me 42%, 30%, 20%, e madje edhe me 6% (në një sistem ku shumë parti marrin nga 5%). Dikush mund të thotë që skenarë të tillë janë jo të mundur dhe karikaturizojnë argumentin për “fituesin”, por në botën fizike koherenca e një argumenti matet vetëm me pasojat e atij argumenti në limitet e tij. Pra, argumenti i “fituesit”, në rastin më të mirë për trumpetuesit e tij, bëhet jo valid diku në intervalin mes numrit 42 dhe 6. I ftoj ta ndajnë këtë numër magjik me ne.
Për mendjen e shëndoshë, ky numër magjik nuk ekziston. Numri i vetëm i rëndësishëm për zgjedhjen e qeverisë është 61. Partia e parë i ka tri avantazhe për ta arritur këtë:
1. Faktin qe ka më së shumti deputetë,
2. Faktin që i takon kryeparlamentari,
3. Faktin që i takon e drejta për të tentuar formimin e qeverisë e para.
Vota e popullit reflektohet në sasinë e deputetëve, dhe kompromisi e formon qeverinë që përkrahet nga një shumicë. Kur një parti nuk e ka Shumicën (me Sh të madhe), është e domosdoshme që të formohet një shumicë (me sh të vogël) nga ato që janë të mundshme dhe që reflektojnë votën e qytetarëve sipas përfituesve të kësaj vote (jo tjerrësve të pushtetit).
P.S. Për më shumë argumente në të njëjtin pozicion, referohuni deklaratave të Albin Kurtit në 2014.